...
Zëvendës-drejtori i Policisë së Lezhës, Gentian Berberi, i cili ka shkuar në fshatin Gurëz të Kurbinit ku ka ndodhur një vrasje dhe një plagosje këtë mëngjes, tha për mediat se objekti i atentatit ka qenë personi i plagosur, Ardian Gjeloshaj, rreth 51 vjeç.
Gjeloshaj ndodhet në spital tashmë jashtë rrezikut për jetën, kurse ekonomisti i firmës, Selman Mihana, rreth 70 vjeç, ka ndërruar jetë nga plumbat e autorëve.
Dyshohet se është qëlluar me automatik, tha drejtuesi i Policisë dhe tashmë ka nisur kërkimi i autorëve dhe hetimet për shkakun e vrasjes dhe tentativës për vrasjen.
Berberi tha: “Sot rreth orës 7 është njoftuar se në ambientin ku ndodhemi është qëlluar me armë zjarri, ku është tentuar të vritet shtetasi me iniciale A.Gj i moshës 51 vjeç. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën një shtetas tjetër me iniciale S.M. rreth 75 vjeç. Është marrë menjëherë reagimi i forcave të Policisë. Është ngritur një grup i posaçëm nga prokuroria e Lezhës. Kemi ndihmën e Departamentit të Policisë Kriminalë me ekspertë të fushës.
Jemi në veprimet e para për sqarimin e rrethanave. Dyshohet paraprakisht se është qëlluar me automatik. Ka të dhënave për lëvizje të autorëve me një mjet. Jemi në momentet e para dhe nuk mund të jap detaje të tjera.
Po hetojmë të gjithë konfliktet dhe mosmarrëveshjet që dyshohet që ka personi që është tentuar të vritet. Objektivi i atentatit është personi që ka mbetur i plagosur. Fatmirësisht është në gjendje të mirë, ndodhet nën kujdesin e mjekëve”.