Probleme për qeverinë e Talat Xhaferit, “Aleanca për shqiptarët” shkarkon dy ministra

Probleme për qeverinë e Talat Xhaferit që ende nuk ka mbushur 2 javë në detyrë. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut filloi pasditen e kësaj të premteje një seancë për shkarkimin e dy ministrave që vijnë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Kërkesa për shkarkimin e tyre u bë nga ish-kryetari i kësaj partie, Ziadin Sela, pas përplasjeve me kreun aktual, Arben Taravari.

Ky i fundit vendosi që në zgjedhjet e arudhshme partia t’i bashkohet opozitës shqiptare, por kjo po shkakton përçarje brenda partisë. Një pjesë e mbështeti, por të tjerë dolën kundër. Koalicioni qeverisës ka një shumicë të brishtë në parlament, por duket se i arrin votat e nevojshme për ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu pritet të shkarkohen nga parlamenti pasi u rreshtuan me zotin Taravari lidhur me vendimin e tij për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet e pranverës. Krahu i Ziadin Selës ka propozuar për ministër të ri të shëndetësisë Ilir Demirin, mjek – infektolog dhe drejtor aktual i Spitalit të Tetovës dhe për ministër të Shoqërisë Informatike, Naim Bajramin, ish-zëdhënës i partisë.

Kryeministri i qeverisë teknike, Talat Xhaferi dha këtë shpjegim për ndryshimet.

“Që në fillim dua të theksoj se propozimi për shkakrikim e ministrave nuk ka të bëjë me aspektin profesional të përgatitjeve të tyre. Unë kam respekt të veçantë duke pasur parasysh se i kam dhe bashkëvendas (nga Gostivari) dhe në vazhdimësi i kam përcjellë dhe e njoh përgatitjen e tyre profesionale. Forca e ligjit thotë se nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të qeverisë; dhe kjo është arsyeja bazë për të cilën propozimi (për shkarkim) ndodhet para jush”, – tha Xhaferi.

Për shkarkimin dhe miratimin e ministrave të rinj nevojitet shumica prej 61 deputetëve nga 120 sa ka parlamenti. Mbi 30 deputetë kanë paraqitur kërkesë për fjalim lidhur me çështjen.