...
Duke qëndruar tek çështja e njohjeve, jo gjithmonë lobimi më i suksesshëm vjen nga politika. Lyudmila Makey është një nga 14 gazetaret ukrainase të strehuara në Kosovë që pas agresionit rus në Ukrainë. Edhe pse fizikisht larg, ajo thotë se e ndien çdo sirenë alarmi e çdo hedhje raketash në territorin e vendit të saj, kjo edhe për shkak të familjarëve që i kanë mbetur mbrapa. Duke përmendur urat e miqësisë që po ngrihen me Kosovën, ajo thotë se Kievi zyrtar duhet patjetër të njohë pavarësinë pas luftës.
Ju mbërritët këtu në prill të vitit 2022, e menduat se do të ishit në Prishtinë edhe pas gati dy vitesh?
Lyudmila Makey: Më kujtohet ajo ditë kur erdha, ndihesha e frikësuar sepse bota dhe lidhjet e mia u thyen. Ishte një kohë e tmerrshme dhe kjo kohë bardh e zi po vazhdon edhe sot. Më kujtohen buzëqeshjet e ngrohta në Aeroport. Kam shumë projekte në Prishtinë, për shembull projekti im është puna ime si gazetare, shkruaj për Ukrainën dhe po shkruaj për Kosovën. Jam duke zbuluar Kosovën për Ukrainën dhe për botën. Unë dhe të gjithë kolegët e mi ukrainas kemi vetëm një ëndërr dhe duam që të kthehemi në Ukrainë menjëherë pas fitores. Por tani fatkeqësisht nuk mund të kthehemi, sepse disa prej kolegëve të mi lanë qytetet e tyre të okupuara, disa zyra mediash janë shkatërruar, disa kolegë nuk kanë punë dhe tani në Prishtinë ne kemi një mundësi unike që të punojmë në profesionin tonë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Keni qenë në Ukrainë gjatë kësaj kohe?
Lyudmila Makey: Jo, fatkeqësisht jo. Qëndroj në kontakt me familjen, miqtë dhe kolegët dhe flas me ta çdo ditë. Komunikoj çdo ditë më vajzën time e cila jeton në Kiev dhe çdo sirenë alarmi dhe çdo hedhje raketash i ndiej në zemër.
Në sytë tuaj, si është Prishtina, si janë njerëzit këtu?
Lyudmila Makey: Kur dikush me pyet “Të pëlqen Prishtina”, unë iu them jo, e dashuroj Prishtinën. Është shtëpia ime e dytë. Ndihem shumë e lumtur këtu çdo ditë e çdo natë.
Mendoni se ukrainasit e njohin Kosovën?
Lyudmila Makey: Në fillim, shumë ukrainas nuk kanë ditur shumë për Kosovën dhe kjo është e vërteta. Por tani, 14 gazetarë ukrainas jetojnë në Prishtinë dhe shkruajnë e tregojnë për këtë vend të mrekullueshëm nëpërmjet mediave, rrjeteve sociale, në intervistat e tyre dhe në shumë mënyra të ndryshme. Pranoj shumë komente të mira në rrjetet e mia sociale kur shkruaj për Kosovën. Shumë ukrainas i kuptojnë kosovarët, pasi kemi një të kaluar të njëjtë, ju kishit një luftë në historinë tuaj dhe ne kemi një luftë në historinë tonë. Ne, ukrainasit dhe kosovarët, kemi një tjetër gjë të përbashkët që është shumë e rëndësishme e që është dashuria për lirinë dhe jemi gati të luftojmë për lirinë tonë. Pas fitores sonë, Ukraina sigurisht që do të njohë pavarësinë e Kosovës, do të duhet të jetë gjëja e parë që duhet të bëjë menjëherë pas fitores sepse Kosova është një vend i vogël por me zemër të madhe që ndihmoi Ukrainën në këtë kohë të vështirë për ne.