Mediat e Kosovës: Mbrëmë u planifikua vrasja e Albin Kurtit në Shkup

Një atentat i planifikuar ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ka ngritur në këmbë autoritetet kosovare dhe maqedonase të inteligjencës. Kjo, për shkak se gjatë vizitës së mbrëmshme të Kurtit në Shkup është marrë informacion në rruge operative për atentat nga struktura serbe.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për Radio Televizionin e Kosovës, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Kryeministri i Kosovës mbrëmë ka arritur në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

Radio Televizionit të Kosovës i është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi.

Bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale sigurinë e Altin Kurtit dhe delegacionit, të cilët tashmë mësohet se kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Albin Kurti duke komentuar planin për atentat ndaj tij, ka thënë se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë simotra të socialistëve. Kryeministri ka theksuar se ka mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar.

“Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, është shprehur Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.