Vrasja në Greqi/ Mediat: Christos Gialias i lidhur me një grup të fuqishëm dròge në Shqipëri

“Autoritetet janë fokusuar në kontaktet që ai ka pasur së fundmi me anëtarët e një bande të fuqishme droge dhe veprash antike në Shqipëri dhe po tentohet të sqarohet nëse vetë 59-vjeçari ka qenë i përfshirë në aktivitetet e tyre”. Kështu shkruajnë mediat greke sot, në ditën e tretë të hetimeve pas ekzekutimit me armë dhe djegies së kufomës së biznesmenit Christos Gialias.

“Njëkohësisht, policia duket se po i kushton vëmendje veprimtarisë profesionale të 59-vjeçarit në Shqipëri dhe ka bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare.

Viktima kishte një fermë të madhe mishi në shtetin fqinj, ndërsa së fundmi kishte hapur një biznes bojërash dhe ishte aktiv edhe në tregun e pasurive të paluajtshme”, vijon më tej shkrimi i Reader.gr. Madje sipas të njëjtit burim, më e mundshmja është që autorët e vrasjes të jenë shqiptarë.

59 vjecari grek Christos Gialias, u ekzekutua mbrëmjen e së mërkurës në Mandra të Athinës në Greqi me armë zjarri dhe më pas u dogj brenda mjetit të tij. ai rezulton pronar biznesi edhe në Shqipëri. Konkretisht në vitin 2007 ai ka themeluar kompaninë “KASTPO” sh.p.k me qendër në Labinot Fushë të Elbasanit. Objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie është tregtia me shumicë e pakicë e mallrave të ndryshëm industrialë, elektroshtëpiake, transport udhëtarësh, hotel dhe bar. Burime konfidenciale nga Greqia bëjnë me dije se 59 vjeçari dyshohet se zotëron prona edhe në Tiranë.

Gialias ishte i martuar me një shtetase shqiptare nga Librazhdi, me të cilën vazhdonte të ishte në një lidhje pavarësisht një ndarje, që dyshohet fiktive, të regjistruar disa vite më parë.
Gialias rezulton pronar biznesesh të mëdha në Greqi, ku janë të punësuar rreth 4000 persona, shumë prej të cilëve shqiptarë. Mësohet se ai qarkullonte me bodyguard, shtetas shqiptarë, të cilët në momentin e vrasjes nuk ndodheshin me të.
Gialias rezulton me precedentë penalë, pasi i janë gjetur sasi të mëdha armësh, kryesisht “Kallashnikovë”. Ai gjithashtu ka precedentë në fushën e narkotikëve, si dhe në punësimin e paligjshëm të punëtorëve nga Pakistani në Greqi.

Mbrëmjen e së mërkurës u bë e ditur se një tjetër bashkëpunëtor i Gialias ishte vrarë në 31 nëntor 2023. Bëhet fjalë për 56-vjeçarin nga Berati, Thimi Droboniku alias Thimi Prifti. Ai u ekzekutua në “Palio Faliro” të Athinës dhe vrasja e tij mbetet e pazbardhur. Nuk dihet nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra tjetrën, por ka dyshimet se përmes një kushërirës së tij grekë, Gialias furnizonte me cigare Drobonikun. Ky i fundit kishte precedentë penalë në këtë fushë por edhe në tregtinë e kokainës. Madje edhe Gialias kryente tregti me kontenierë nga Amerika Latine, por nuk dihet ende nëse ka indicie për ndonjë transport të paligjshëm narkotikësh brenda tyre.