U plagos brenda makinës, zbardhet dëshmia e ‘shënjestrës’ në Shkodër

Detaje të reja kanë dalë nga plagosja e shtetasit Selami Brahimi një natë më parë në Shkodër. Mësohet se 60-vjeçari ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni lidhur me plagosjen e tij dhe se nuk ka arritur që të dallojë automjetin.

Brahimi tha se ka shpëtuar për mrekulli sepse në sekondat e fundit kur është qëlluar ka kthyer kokën dhe i ka shpëtuar atentatit duke mos e marrë plumbin në kokë por në pjesën e sipërme të fytyrës. 60-vjeçari ka qenë në këmbë pasi ishte ulur nga një pallat ku la mbesën e tij.

“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, mësohet të ketë thënë i plagosuri.

Ndërkohë sipas burimeve ndaj shtetasit Selami Brahimi është qëlluar afro 10 herë me automatik kallashnikov por vetëm një plumb e ka kapur në pjesën e fytyrës. 60-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje dhe është jashtë rrezikut për jetën por ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Automjeti me të cilin qëlluan autorët ende të paidentifikuar erdhi nga zona e Parrucës në drejtim të Xhabiej dhe pasi qëlluan me armë zjarri u larguan në drejtim të daljes së Shkodrës ndërsa policia po gjurmon lëvizjet e automjetit që nuk është gjetur ende. Në Shkodër janë shoqëruar disa persona ndërsa po zhvillohen të tjera kontrolle nga forcat RENEA që kanë mbërritur që mbrëmë pas plagosjes së 60-vjeçarit. Kontrollet janë zhvilluar në një banesë në fshatin Kuç të njësisë Gur i Zi por nuk ka qenë askush brenda por edhe në disa zona të tjera ku policia mund të ketë informacione. Të shoqëruarit janë persona që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes ndaj po merren në pyetje. Selami Brahimi është pronar i një picerie në lagjen “Xhabiej” ku ndodhi plagosja. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.