Vendimi i bujshëm, Kurti dhe Vuçiç përballen në OKB për dinarin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndodhet në SHBA ku do të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet për situatën në Kosovë.

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë mbledhje, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandër Vuçiç, ndërkaq Kosova pritet të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme.

Kjo rregullore parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Valutën kombëtare të Serbisë, serbët në Kosovë e kanë përdorur që nga përfundimi i luftës më 1999.

Po ashtu, Serbia ua paguan qytetarëve serbë të Kosovës, përmes një sistemi paralele, pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka thënë se nga vendimi i BQK-së do të preken afër 100.000 serbë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se shteti i tij i ka 31.831 të punësuar në Kosovë, 29.115 pensionistë – prej të cilëve 4.700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31.586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.