...
Bosit nga Shkodra që spanjollët i kapën 2.4 tonë kokainë, Autoritetet spanjolle thonë se organizata e trafikut të drogës që u godit të martën, ku 30 persona u arrestuan dhe 2.4 tonë kokainë u sekuestruan drejtohej nga një shkodran.
Sipas tyre, sasia e drogës do trafikohej dhe shpërndahej nëpër europë për llogari të grupit të Dritan Gjikës, një shqiptar nën hetim edhe më herët në Ekuador dhe që e drejtonte grupin nga kolumbia.
Lënda narkotike pastaj hynte në Ekuador nga toka dhe fshihej në qendrat e grumbullimit para se të nisej nga portet e Ekuadorit drejt Europës.
Policia bëri me dije se Dritan Gjika nuk është kapur, por është identifikuar vendndodhja e tij.
Sipas spanjollëve, Gjika 47 vjeç ka arritur që të ngrejë një grup trafiku në formën e koorporatës, ku shqiptarët janë shtylla e funksionimit të saj, por që të përfshirë ka edhe argjentinas, ekuadorianë, spanjollë, kolumbianë deri edhe shtetas kinezë.
Detyrat për gjithsecilin ishin të ndara, që nga sigurimi i porosive të kokainës përmes kontratave të parablerjes në Kolumbi, deri te përpunimi, trafikimi dhe më pas shpërndarja e shitja në Europë.
Një shtetas kinez, që është mes të arrestuarve, dyshohet se ka pasur funksionin e kryerjes së pagesave, nëpërmjet një sistemi ku kartëmonedhat në Ekuador shoqëroheshin me një kod.
Droga dyshohet se sigurohej nga karteli Los Choneros dhe përmes Ekuadorit trafikohej më pas kryesisht e fshehur në ngarkesa me banana në Spanjë, Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri.
Policia e Ekuadorit pohon se kjo organizatë “kishte informacion të privilegjuar mbi dokumentet detare të tregtisë së jashtme, gjë që e bënte më të lehtë për ta futjen e disa kontejnerëve në javë”.
Kush është i ‘forti’ nga Shkodra, lidhja me bosin e kokainës në Ekuador
Emri i shqiptarit Dritan Gjika ndodhej në “radarin” e drejtësisë ekuadoriane, pasi ai ishte i lidhur me Ruben Cherres, kunati i ish-presidentit Gulliermo Lasso, i cili akuzohej për ndërhyrje në kompani publike dhe që u vra 31 marsin e vitit 2023.
Gjika, me origjinë nga Shkodra dhe i vendosur prej 9 vitesh në Ekuador, ka një ID ekuadoriane dhe ka drejtuar biznese nga ky vend.