...
Sot po mbahet seanca e radhës për çështjen e Gërdecit.
Gjatë seancës mësohet se SPAK ka kërkuar të gjendet dhe të thirret Anjola Agolli, sekretare e ish ministrit të drejtesise Aldo Bumci, e cila nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë më dispozicion një adresë të re të saj.
Ajo pritet të pyetet për faksin e famshëm “për Shkëlzenin”. Zonja në fjalë është marrë në pyetje kur u hetua tragjedia vite më parë dhe do shihet nëse do i qëndrojë asaj dëshmie.
Ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli, në dëshminë e saj dhënë prokurorëve implikoi direkt Bumçin si ushtar të Shkëlzen Berishës në demontimin e armëve në Gërdec.
Agolli ka pranuar se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kujton se “Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin…”
Agolli ka shpjeguar procedurën si e ka protokolluar faksin dhe si është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes.
Bëhet fjalë për një faks privat që ish-ministri Aldo Bumçi i ka dërguar për informim Shkëlzen Berishës, për t’i kujtuar se ia ka firmosur “Memo”-n që aprovonte biznesin e demontimit të armëve në Gërdec.
Ne seancat e zhvilluara së fundmi ishin thirrur nga SPAK për të dëshmuar shtetasit Shkëlzen Madani, Rezart Tershana, Zenun Fero, Dashnor Çaushi dhe Besnik Dauti.