Qëlloi me armë zjarri dhe plagosi rëndë një grua, arrestohet 29-vjeçari shqiptar në Itali

Karabinierët italianë arrestuan në Campodarsego një 29-vjeçar shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim pasi autoritetet gjyqësore në Shqipëri kishin lëshuar një urdhër arresti për tentativë vrasje.

Sipas mediave italiane, ai akuzohet se më 22 nëntor në Peshkopi ka qëlluar me armë zjarri një grua, duke e plagosur rëndë dhe më pas është arratisur.

29-vjeçari tentoi të humbte gjurmët, por u zbulua dhe u vu në pranga në një hotel në Campodarsego. Kur shqiptari hyri në hotel, policia u vu në aksion.

Në fakt, drejtësia shqiptare kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij dhe brenda pak minutash në hotel u shfaq një patrullë. I dyshuari nuk ka bërë rezistencë.