...
Banorëve të fshatrave Bodinot, Metallaj dhe Karpen në Maminas të Shijakut jeta e përditshme u është kthyer në një makth.
Larg vëmendjes së pushtetit vendor, ata vuajnë çdo ditë mungesën e infrastrukturës dhe rrezikun për jetën, nga infeksionet e transmetueshme prej një pirgu me mbetje urbane.
Banorët thonë, se në 35 vite demokraci, nuk kanë parë asnjë ndërhyrje.
“Sa ka Enveri që ka qenë gjallë? Është rruga Enverit moj”,-tha një banor.
“Në këtë gjendje rruga është që prej ‘95-ës. Kemi tentuar disa herë, e kemi rregulluar me fondet tona, që të paktën të ecë makina, ka hedhur disa herë edhe komuna, por prapë, nëse nuk shtrohet asfalti rruga kështu do të shkojë”,-u shpreh një tjetër.
Rruga tejet e amortizuar përkthehet kështu në kosto të tjera, që i rëndojnë më tepër xhepat fshatarëve.
Ndonëse taksapagues të rregullt, siç duket nga vrojtimi në terren, investimet janë një procedurë e harruar, edhe pse premtohen sa herë që ka zgjedhje.
“Për ne këtu nuk ka ekzistuar fare shteti. Gjithë taksat i paguajmë. Prandaj po ikim. Kanë ikur fëmijët do ikim edhe ne. Të rrinë këtu vetëm këta që kanë pushtetin.”
“Ankohen të gjithë, por s’na ka njeri në listë ne o goc. Janë bobat atje lart në qeveri. E ka ai i gjati, e ka Edi Rama në dorë, ai do na e bëjë rrugën, ai ka na dhënë llafin, se atij ja kemi dhënë votat. Shihe vetë si është. Gropa-gropa, makinat në servis. Paguajmë taksa e prapë shihe si është.”
Rruga shërben si nyjë lidhëse për më shumë se 200 banorët e fshatrave Metallaj, Karpen dhe Bodinot me Shijakun, Durrësin dhe Tiranën.