Makina humbi kontrollin në kthesë/ Humb jetën 18-vjeçari, plagosen 3 të rinj në Librazhd

Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në vend pas atij në Korçë. Një automjet ka dalë nga rruga në “Kthesat e Dragostunjës” në Librazhd dhe për pasojë një person ka humbur jetën ndërsa 3 të tjerë janë plagosur.

Mësohet se drejtues i mjetit ka qenë Meglind Zeneli, 21 vjeç, ndërsa pasagjerë kanë qenë Gerald Verçani, 19 vjeç, Janikos Shyti, 20 vjeç, dhe Dorian Belba, 18-vjeç, i cili fatkeqësisht ka humbur jetën.

Paraprakisht dyshohet se mjeti ka qenë duke qarkulluar me shpejtësi tej normave, dhe ka humbur kontrollin në një kthesë. Pasi ka dalë jashtë rrugës automobilistike ka rënë nga lartësia duke u rrokullisur dhe përfunduar në trasenë e linjës hekurudhore.

“Elbasan/Informacion paraprak. Në aksin rrugor “Librazhd – Perrenjas”, automjeti që drejtohej nga shtetasi M. Z., 21 vjeç, ka dalë nga rruga.

Për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje pasagjeri që udhëtonte në këtë automjet shtetasi D. B., 18 vjeç, si edhe kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerë të tjerë, të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital për momentin jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit” – thuhet në njoftimin e policisë.