Deputetja britanike kundër Hovenier: Nuk reaguat kaq ashpër kur Serbia rrëmbeu 3 policë

Deputetja britanike dhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik Alicia Kearns ka reaguar ashpër pasi ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se “veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e ndalimit të dinarit serb po i rrisin tensionet”.

Kearns, një mbështetëse e flaktë e Kosovës, reagoi me anë të një postimi në X ku theksoi se SHBA-të kanë heshtur për rrëmbimin e 3 policëve të Kosovës nga Serbia. Po ashtu ajo ka shtuar se SHBA-ja nuk ka reaguar me të njëjtën ashpërsi as për sulmin në Banjskë.

“Ku është balanca? A kemi parë një deklaratë të tillë nga SHBA pas rrëmbimit të paligjshëm të 3 policëve nga Serbia? Jo. Heshtja për sulmin terrorist në Banjska mbetet shurdhuese”, – shkroi deputetja britanike.