Deklarata e fortë e Hovenier: Kosova po nxit tensione ndëretnike të panevojshme

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se është i shqetësuar për veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës karshi serbëve të Kosovës, teksa i referohet operacionit për mbylljen e komunave paralele serbe në Kosovë.

Hovenier, përmes një deklarate për media mbrëmë, shprehet se autoritetet e Kosovës po nxisin tensione ndëretnike të panevojshme.

Ai shton se këto veprime kufizojnë opsionet qe SHBA të shërbejë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Hovenier thotë se është i shqetësuar edhe për sekuestrimin e një automjeti me dinar serb që po vinin në Kosovë nga Serbia.

Diplomati amerikan shprehet se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për të gjitha shqetësimet e qytetarëve, ndërsa shton se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihet në dialog.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ato përfshijnë operacionet nga Policia e Kosovës, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë javës së kaluar në zyrat e institucionet e administruara nga Serbia në Dragash, Pejë, Istog, Klinë dhe në OJQ Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë. Ne jemi të shqetësuar edhe nga aksionet e Policisë së Kosovës sot për të sekuestruar dinarë serb dhe automjetin transportues që distribuonte pagesat e përfitimeve sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë destinuar këto pagesa të përfitimeve sociale t’i marrin ato pa vonesë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e ambasadorit të SHBA.