... Nami.al

Nërtimi i autostradës Thumanë-Kashar, banorët e fshatrave të Krujës në protestë: Projekt jotransparent

Banorët e fshatrave të Krujës që preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar po protestojnë sërish ditën e sotme. Ata kanë kërkuar të bëhet publik projekti i rrugës e madje të ngrihet komision hetimor për projektin jotransparent.

“Nuk mund të bllokohet kjo rrugë se kjo quhet autostrada Thumanë – Kashar dhe të të mos lihet dalje për këto biznese që kanë investuar djersën e tyre për 30 vjet. Arroganca e qeverisë dhe e këtyre oligarkëve ka arritur në kufij.

Nuk mund të lihet ky popull pa i dhënë një shpjegim se si do të procedohet në këtë rrugë. Kështu që i bëj thirrje të gjithë banorëve, fermerëve dhe bizneseve se ne do të jemi mbështetje. Protestat të përshkallëzohen jo vetëm këtu tek rrethrrotullimi i Thumanës, por në të gjithë fshatrat e kësaj zone deri në Rinas.”, tha njëri prej tyre.

Banorët janë shprehur edhe ditët më para se ata nuk janë kundër ndërtimit të rrugës dhe zhvillimit e as nuk i janë bërë pengesë, por sipas tyre, firma e cila po zhvillon punimet ka devijuar projektin e për pasojë janë bllokuar rrugët e këtyre fshatrave. Ata shprehen se nuk ka pasur asnjë konsultë nga ana e firmës, ARSH, apo ministrisë së transporteve me komunitetin e këtyre fshatrave të cilët dëmtohen shumë.

Banorët kërkojnë që të ndërtohen nënkalime dhe mbikalime në mënyrë që jetesa e tyre të vijoi normalisht dhe firma e cila ka dëmtuar rrugët, sipas tyre, t’i rindërtojnë dhe t’i rikthejë në gjendjen e mëparëshme.