... Nami.al

Egjipti drejt falimentit! Sisi nuk e meriton, por bota duhet t’ia zgjasë edhe njëherë dorën

The Economist

Perspektivat për luftë apo paqe në Lindjen e Mesme varen nga shumë aktorë: Amerika, rebelët Houthi, Irani, Izraeli, palestinezët, Arabia Saudite dhe të tjerë.

Por një vend është më i rëndësishëm sesa e mendojnë shumica e njerëzve: Egjipti.

Ai është i madh, me 110 milion njerëz. Egjipti menaxhon kanalin e Suezit, ndan një kufi tokësor me Gazën, mban një traktat paqeje me Izraelin dhe ka ndihmuar në ndërmjetësimin e bisedimeve të paqes.

Egjipti mund të luajë ende një rol jetik për të ndihmuar në krijimin e shtetit për palestinezët dhe sigurinë në Rripin e Gazës.

Megjithatë, nëse vendi do të falimentojë financiarisht, ai mund të destabilizojë më tej të gjithë Lindjen e Mesme. Dhe një kolaps i tillë është i pritshëm, pasi vendi përballet me një krizë financiare në rritje.

Regjimi që drejton Egjiptin nuk e Meriton një dorë të shtrirë për ndihmë. Por, nisur nga rrethanat që është sot bota dhe rajoni, ajo duhet t’i zgjatet gjithsesi.

Udhëheqësi i Egjiptit, Abdel-Fattah al-Sisi, është një ushtarak që udhëhoqi një grusht shteti në vitin 2013 dhe mori presidencën vitin e ardhshëm.

Ai ka dëshmuar të jetë një menaxher i keq ekonomik. Në dekadën e fundit, monopolet e drejtuara nga ushtria dhe njerëzit e saj kanë përkeqësuar shumë situatën ekonomike të Egjiptit.

Shpenzimet u kanë shërbyer gjeneralëve. Investitorët e huaj kanë ikur. Deficitet fiskale dhe të bilancit të pagesave janë në rritje.

Sisi ka marrë shumë hua: borxhi publik është sa 89% e PBB-së; Borxhi i jashtëm është 37%. FMN e ka shpëtuar qeverinë e tij katër herë. Sisi gjithmonë premton reforma ekonomike, por bën shumë pak.

Pasojat e luftës midis Izraelit dhe Hamasit e kanë bërë gjithçka më keq për Egjiptin. Në një vit normal, vendi fiton të ardhura në valutë me vlerë 2% të PBB-së nga operimi i kanalit të Suezit dhe të ardhurat nga turistët e huaj shtojnë një tjetër 3% të PBB-së.

Të dy burimet e parave të gatshme janë zvogëluar në mënyrë dramatike. Kursi zyrtar i këmbimit prej 30 paund egjiptian për 1 dollar është një mirazh. Norma e tregut të zi është 70.

Vendi duhet të zhvlerësojë monedhën e tij, por duke bërë këtë vlera e borxhit egjiptian në valutë do të rritet në raport me PBB-në.

Do të rriste gjithashtu çmimin e ushqimit, veçanërisht të drithërave, të cilat Egjipti i importon kryesisht.

Nëse logjika ekonomike do të ishte i vetmi element që duhet marrë në konsideratë, Egjiptit duhej t’i jepej një ilaç i hidhur.

Çdo huazim i mëtejshëm nga FMN-ja ose qeveritë e huaja do të duhej të kushtëzohej nga ristrukturimi i borxheve dhe nxjerrë ushtrinë jashtë “loje”.

Megjithatë, një gjë e tillë do të ishte shumë e rrezikshme. Popullsia e re dhe e frustruar e Egjiptit mund të nisë protesta masive, të cilat do të përballeshin me shtypje të dhunshme.

Çdo çrregullim do të ishte i vështirë të përmbahej. Xhihadizmi është tashmë një problem i rëndë në gadishullin Sinai të Egjiptit, i cili ndodhet pranë Izraelit dhe Gazës.

Gjithçka mund të kërcënojë qeverinë e Sisi-t. Lindja e Mesme më e gjerë, tashmë e djegur, nuk mund të përballojë “flakë” edhe në Egjipt. Së paku, kjo do ta bënte Egjiptin të paaftë për të ndihmuar ndërmjetësimin ose zbatimin e një marrëveshjeje paqeje midis Izraelit dhe palestinezëve.

Pra, bota duhet të zërë hundën dhe ta çlirojë Egjiptin përsëri. Vendit ndoshta i duhen të paktën 10 miliardë dollarë financim afatshkurtër për të tejkaluar borxhet e tij dhe për të lehtësuar tronditjen e një zhvlerësimi të madh.

Vendet perëndimore, FMN-ja dhe shtetet e pasura Arabe të Gjirit duhet të hyjnë të gjitha në lojë.

Në këmbim, ata duhet të bëjnë presion publikisht ndaj ushtrisë që të heqë dorë nga kontrolli mbi ekonominë.

Ata do ta bëjnë këtë në dijeni të plotë se ushtria nuk ka gjasa të veprojë në përputhje, veçanërisht për shkak se Sisi është vetë një ish-gjeneral.

Megjithatë, Egjipti nuk do të përparojë kurrë derisa burrat me uniformë të lënë vendin për të gjithë të tjerët dhe egjiptianët e zakonshëm duhet ta dinë këtë.

Përshkrimi i imazhit