...
Një shqiptar është qëlluar me armë zjarri në Athinë dhe ka mbetur i plagosur. Ngjarja ka ndodhur pak para orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, në një park në rrugën Sidirokastro në zonën e Botanikos.
Shqiptari me iniciale R. F. ka mbetur i plagosur me tre plumba në bark. Pas plagosjes ai ka marrë makinën e tij dhe ka arritur që të shkojë deri tek një patrullë policie që të kërkojë ndihmë. 34-vjeçari është dërguar në spitalin e Giorgos Gennimatas, ku po merr ndihmë mjekësore.
Mediat greke raportojnë se autorët kanë hipur në një mjet, më pas i janë afruar 34-vjeçarit dhe e kanë qëlluar tre herë. Hetimet e policisë për zbardhjen e ngjarjes po vazhdojnë. Sipas ‘Protothema’ në vendin ku ndodhi krimi janë gjetur tre gëzhoja të kalibrit 9 mm. Ndërkohë, shqiptari rezulton me precedent penal, pasi në vitin 2019 është arrestuar për një çështje droge.