... Nami.al

Bastiset objeki i dyshimtë përballë stacionit policor në Prishtinë, çfarë u zbulua

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka zhvilluar të mërkurën një aksion në zyrat e një organizate joqeveritare e vendosur përballë Stacionit Policor “Qendra në Prishtinë”. Dyshohet se në ambientet e kësaj OJQ-je janë kryer veprimtari të jashtëligjshme.

Aktiviteti i organizatës sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla paraqet rrezik për sigurinë e vendit.

“Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë ‘Centar za Mir i Toleranciju Pristina’ nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve”, ka treguar ai.

Sveçla ka nënvizuar gjithashtu se pas bastisjeve u zbulua se ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar aspak në lidhje me natyrën e kësaj OJQ-je.

“Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit. Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, tha Sveçla.

Ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se dyshohet se në atë objekt ishin duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.

Në lidhje me rastin janë marrë në pyetje dhe dy persona.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetime Rajonale në Prishtinë, është duke u realizuar bastisje në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Organizata e cila dyshohet se ka ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt, ka prezantuar një qëllim krejtësisht të ndryshëm në Sistemit Elektronik të Organizatave Joqeveritare.

Aty thuhet se, organizata në fjalë ka për qëllim përmirësimin e jetës shoqërore në Prishtinë dhe në pjesët tjera të Kosovës, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në aspektin social dhe përmirësimin e ekonomisë përmes ndërmarrjeve të vogla.

Përshkrimi i imazhit