‘Varrezat’ e Europës! Shqipëria ka ‘moshën’ më të lartë të automjeteve, 40% janë mbi 20-vjeçare

Në Shqipëri gjenden më shumë makina të vjetra sesa në çdo vend tjetër të Europës, sipas statistikave të publikuara nga Eurostat. Ndërsa Europa po shkon gjithnjë drejt stimulimit të automjeteve që nuk ndotin mjedisin, në rrugët tona shikon makina të vjetra, që nxjerrin tym të zi dhe shpesh mund të bëhen shkak për aksidente.

Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2022, në Shqipëri 41% e automjeteve të pasagjerëve janë mbi 20-vjeçare, më e larta në Europë.
Në Kosovë, 22.6% e automjeteve të pasagjerëve kanë vit prodhimi prej 20 vitesh ose më shumë, në Mal të Zi 25.6%. Pas Shqipërisë, makinat më të vjetra janë në Bosnjë Hercegovinë, me 35%. Për krahasim, në Gjermani, shteti nga i cili imputohen shumë automjete, vetëm 8% e automjeteve janë kaq të vjetra.

51% e automjeteve të pasagjerëve në vend kanë një vit prodhimi më të lartë sesa 10 vjet. Në total 99% e automjeteve në vend kanë një moshë mbi 10 vjeçare, sërish më e larta në Europë.

Shteti i dytë me më shumë automjete që kanë të paktën një dekadë që qarkullojnë është Maqedonia e Veriut, me 88%, ndërsa më të rejat në rajon janë makinat në Kosovë, me 75%. (të dhënat për Serbinë mungojnë). Në Itali, kjo peshë është 59%, ndërsa në Gjermani 40.5%.

Në kontrast, Shqipëria ka peshën më të ulët të automjeteve të reja, me më pak se dy vjet prodhimi, me vetëm 0.78% të totalit, nga 2.63% që është kjo peshë në Kosovë dhe 15.4% në Gjermani.

1.67% e automjeteve në vend kanë një moshë nga 2-5 vjet dhe 5.53% nga 5-10 vjet.
Sipas Eurostat, përqindjet e automjeteve më të reja të pasagjerëve (më pak se 2 vjeç) ishin më të larta në Luksemburg (18,4 %), Gjermani (15,4 %), Suedi (14,5 %), Belgjikë dhe Irlandë (të dyja 13,1 %) dhe Austri (13,0 %). ). Në të kundërt, disa Shtete Anëtare raportuan një pjesë të madhe të makinave ‘të vjetra’ të pasagjerëve (20 vjeç e lart) në 2022. Shtetet Anëtare me përqindjet më të larta ishin Estonia (34,1 %), Rumania (31,0 %), Finlanda (30,4 %), Polonia (29,3 %), Portugalia (26,4 %) dhe Malta (25,6 %).

Sipas Eurostat, vitet e fundit, disa vende kanë ofruar programe që mbështesin blerjen e makinave të reja me emetime të ulëta, ndërkohë që heqin dorë nga makinat e vjetra.

Synimi i përgjithshëm i këtyre programeve ka qenë rinovimi i flotës së makinave të pasagjerëve me makina me emetim më të ulët, duke stimuluar njëkohësisht ekonominë. Këto programe kanë pasur një ndikim të caktuar në përbërjen e moshës së makinave të pasagjerëve në vende të veçanta.

Shqipëria, përveçse ka peshën më të lartë të makinave të vjetra, ka dhe dominim të atyre me naftë, që janë ndotësit më të mëdhenj. Po sipas Eurostat, Shqipëria dhe Kosova kanë peshën më të lartë të automjeteve që punojnë me naftë në Europë, me rreth 74% të totalit Shqipëria dhe rreth 82% Kosova për vitin 2022.
Nga rreth 639 mijë automjete që kishte gjithsej në vend në 2022, rreth 471 mijë janë me naftë. Me benzinë ranë rreth 17% e automjeteve (108 mijë) dhe me energji alternative 59 mijë, ose 9.3%. Makina elektrike në vitin 2022 në vend kishte më pak se 1300, sipas të dhënave të Eurostat.

Vendet e tjera të Europës Perëndimore kanë peshë shumë më të lartë të makinave me benzinë dhe po rrisin dhe përdorimin e energjisë alternative. P.sh. Holanda ka më pak se 10% të makinave me naftë, ndërsa Turqia mban rekordin për automjetet me energji alternative, me rreth 30% të totalit.

Në raport me popullsinë, Shqipëria është ndër vendet me më pak automjete në Europë. Sipas Eurstat, në vitin 2022, në Shqipëri kishte 226 automjete për 1 mijë banorë, që na vendosin në vendin e tretë më normën më të ulët për këtë tregues, duke lënë pas vetëm Kosovën (182 automjete për vitin 2021) dhe Turqinë (169)./ Monitor