Sondazhi: Shumica e shqiptarëve janë kundër sigurimit të detyrueshëm të banesave

Një sondazh i kryer nga “Monitor” në faqen e saj të internetit dhe në rrjetet sociale ka treguar se shumica e pjesëmarrësve janë kundër vendosjes së një sigurimi të detyrueshëm me ligj të banesave. Mbështetur në rezultatet e sondazhit, më shumë se 57% e votuesve u shprehën se sigurimi i banesave nga katastrofat natyrore duhet të jetë vullnetar. Pjesa e mbetur prej 43% e votuesve u shpreh në favor të dy alternativave të tjera, që parashikojnë vendosjen e sigurimit të detyrueshëm të banesave.

37% e votuesve janë shprehur në favor të vendosjes së një sigurimi të detyrueshëm të banesave kundër të gjitha fatkeqësive natyrore. Ndërkohë, vetëm afërsisht 6% e votuesve u shpreh për vendosjen e një sigurimi të detyrueshëm vetëm për të mbuluar dëmet nga tërmetet.

Rezultatet tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e pjesëmarrësve janë në favor të asaj alternative që ka propozuar qeveria shqiptare me një projektligj të vitit të kaluar, që parashikonte sigurim të detyrueshëm të banesave, por vetëm nga tërmetet.

Në gusht 2023, qeveria shqiptare hodhi për konsultim një projektligj që parashikonte sigurimin e detyrueshëm me ligj të të gjitha banesave dhe njësive tregtare të vendosura në njësitë e banimit.

Sipas projektligjit, sigurimi i detyrueshëm do të paguhet çdo vit dhe të ardhurat do të shkojnë për Fondin Kombëtar të Tërmeteve, një person juridik në formën e një shoqërie aksionere në pronësi të shtetit. Projektligji nuk përcaktonte në mënyrë të drejtpërdrejtë një shumë limit mbulimi dhe një prim sigurimi, por, sipas tij, niveli i primit duhet të llogaritet me metodologji aktuariale, bazuar në modelin e rrezikut nga tërmetet të zhvilluar për Shqipërinë, e cila miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, mbas marrjes së mendimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Në përcaktimin e primit të sigurimit, ndër të tjera, duhet të merret në konsideratë, humbja e mundshme maksimale për periudhën e caktuar të kthimit, shpenzimet e lidhura me cedimin në risigurim si dhe shpenzimet e tjera operative të Fondit Kombëtar të Tërmeteve.

Nisma për vendosjen e një sigurimit të detyrueshëm me ligj të ndërtimeve u riaktivizua pas tërmetit të nëntorit 2019, që shkaktoi dëme për më shumë se një miliardë euro. Në pjesën dërrmuese, dëmshpërblimi u financua nga programi i rindërtimit, që përfshin transferta nga buxhetit i shtetit dhe kontribut të donatorëve të huaj. Vlera e dëmeve e paguar nga kompanitë private të sigurimit ishte rreth 40 milionë euro, duke dëshmuar shkallën e ulët të sigurimit vullnetar të banesave nga shqiptarët.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vitin e kaluar tregu i sigurimit të pronës nga katastrofat, i shprehur sipas primeve të shkruara bruto, kishte vlerën e 2.1 miliardë lekëve ose afërsisht 20 milionë eurove. E shprehur në prime sigurimi për frymë, çdo shqiptar shpenzon mesatarisht 7 euro në vit për sigurimin e pronës nga katastrofat.

Primet e sigurimit të pronës nga katastrofat përbëjnë vetëm 10% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës. Shifrat e sigurimit janë qartësisht shumë modeste dhe në pjesën madhe vlerësohet se ky sigurim është faktikisht i detyrueshëm, sepse kërkohet nga bankat për sigurimin e pronave që lihen si kolateral për kreditë bankare./Monitor