Ndotja e ajrit në Tiranë/ Profesori i njohur zbulon matjet e grimcave vdekjeprurëve

Ndotja e ajrit në Tiranë po bëhet çdo ditë e më shumë alarmante për qytetarët. Profesori Besnik Baraj, anëtar i Akademisë së Shkencave, ka prezantuar disa matje të ndotjes së ajrit në kryeqytet nga grimcat që qëndrojnë pezull në ajër, të cilat depërtojnë në enët tona të gjakut dhe konsiderohen nga OBSH si më të rrezikshmet. Këto grimca shkaktojnë sëmundje të rënda si hemoragjitë cerebrale, kanceri, infarktet, etj.

Matjet në mjediset e lokaleve pranë rrugëve kryesore të Tiranës, tregojnë prezencën e grimcave nga 33.6 në 92.6 mikrogram/m3, shumë herë më e lartë se vlera e rekomanduar nga OBSH, 5 mikrogram/m3. Në qendrat tregtare në vendet e parkimit vlerat arrijnë në nivele kritike, deri në 352 mikrogram/m3, nga norma 5 mikrogram/m3.

“Këto matje i kam kryer nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 10:00 të mëngjesit, në objektet ku njerëzit ulen buzë lokaleve. Ishte ditë e thatë. Vlerat janë shumë të mëdha. Janë shumëfish nga rekomandimi i OBSH”, tha Baraj i ftuar në “Të Paekspozuarit”.

Profesori Baraj, i ka bërë matjet edhe në orët e para të mëngjesit, ku ka qarkullim minimal të mjeteve dhe grimcat janë sërish në nivele alarmante. Vlerat e matura në 15 stacione të Tiranës, nga ora 03:00-05:00, variojnë nga 31.7 – 78 mikrogram/m3. Pra në asnjë rast më e vogël se 5 mikrogram/m3, që është norma e OBSH.

Për të bërë një krahasim me disa metropole shumë më të zhvilluara se Tirana. Ditën e sotme në Londër niveli i PM 2.5 ka qenë 13 mikrogram/m3. Në New York ka qenë 4.2 mikrogram/m3. Në Romë ka qenë 12.7 mikrogam/m3. Në Paris ka qenë 16 mikrogram/m3 dhe në Berlin ka qenë 11.1 mikrogram/m3. Ndërsa matjet e Tiranës që ka kryer zoti Baraj, tregojnë shifra shumë më të larta, nga 33-92 mikrogram/m3.

Baraj i ka kryer matjet me një aparat i cili e ka marzhin e gabimit deri në +/- 10%. Edhe po t’ua heqësh vlerave këtë përqindje, shifrat e ndotjes në Tiranë nga grimcat vdekjeprurëve, janë në nivele shumë shqetësuese