Frangaj privatizoi pronën e familjes Hysa pasi mohoi gazetarin e tij që u plagos në protestën e 21 janarit. Berisha: Fatos Mahmutajn nuk e mori plumbi, por e shtynë

Nga Adriatik Doçi

Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezit po gjejnë gjithfarë bishtash dhe alibish për të mbuluar korrupsionin dhe pastrimin e parave me ish Klubin Partizani, ndërkohë që e vërteta është sa e thjeshtë aq edhe e qartë, siç është edhe faktuar nga hetimi i SPAK-ut.

Dhëndrit i takonin 113 m2 tokë dhe bëri 19 kulla. Kishte 39 mijë euro para të ligjshme dhe fitoi 5.4 milionë euro. Dhe thotë se po e godasin se denoncoi inceneratorët!

(Ka dyshime të forta se dhëndri ishte trashëgimtar i rremë dhe se nuk i takonin as 113 m2 tokë, pasi paraardhësit e tij janë dëmshpërblyer një herë nga italia fashiste, por dokumentet janë zhdukur nga Arkivi i Shtetit, kur ky institucion drejtohej nga babai i dhëndrit. Për të gjitha pronat kufitare ekzistojnë dokumentet e shpronësimit).

Ndërkaq, Familja Hysa kishte 165 mijë m2 në ish Kinostudio dhe mori 30 vite sorollatje në gjykata, përbuzje dhe tallje.

Vjehrri i Abit, një pjesë të pronës së familjes Hysa ia dha me qira Sandër Frangajt, i cili ngriti televizionin, panele diellore etj., pasi kishte ardhur nga Lezha në Tiranë si fans i Tefta Radit.

Më 21 Janar 2011, Sandri mohoi plagosjen e gazetarit që punonte pranë televizionit të tij, Fatos Mahmutaj, pasi Berisha kishte thënë ndërkohë se lajmi i për plagosjen e gazetatit ishte mashtrim i Edi Ramës për të përhapur panik.

“Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë”, tha Berisha natën e 21 Janarit 2011, në një kohë kur Mahmutaj ishte në spital.

Kur Fatos Mahmutaj refuzoi ofertën-urdhër për të mohuar të vërtetën, ai nuk u lejua që të dëshmonte live në studion e televizionit ku punonte.

I plagosur, Fatos Mahmutaj u izolua disa orë në ambinetet e televizionit të Sandër Frangajt. Më pas ai u mohua dhe u dëbua nga televizioni si një rrezik që mund të prishte pazaret e Sandrit me pushtetin e Sali Berishës.

Gazetari u dërgua nga disa kolegë të tij në spital. Atë natë ka pasur edhe një plan për ta zhdukur, siç është operuar me dëshmitarët Remzi Hoxha, Kosta Trevicka, Eduard Belegu, Qazim Tepshi etj., por gazetari ka shpëtuar falë interesimit të disa ambasadave të huaja për shëndetin e tij.

Ishte koha kur disa ministra dhe drejtorë të Berishës ishin në garë se kush do të sajonte më shumë reklama për Sandrin. Mbi 12 milionë euro nga paratë publike kanë shkuar në xhepat e tij.

Rastësi apo jo, por pas fshehjes së plagosjes së gazetarit të tij, Fatos Mahmutaj, Sandër Frangaj ka nisur të privatizojë sipërfaqe toke, pjesë të pronës së familjes Hysa në ish Kinostudio.

Për privatizimin e pronës së familjes Hysa nga Frangaj, Berisha ka agazhuar strukturat përkatëse të pyshtet-shtetit të tij, ashtu siç vuri në rresht shtetin për të kaluar ish Klubin Partizani në duart e dhëndrit të tij.

Krahas privatizimit të pronës së familjes Hysa, Frangaj zgjeroi edhe hartën e zaptimit. Madje mbi një sipërfaqe të familjes Hysa, njohur me vendim të Gjykatës së Lartë, ka ngritur panele diellore.

Guxim i madh të zaptosh dhe shfrytëzosh pronën e tjetrit, ndonëse me lejen dhe garancinë e pushtetit, si dhe me drejtësinën e Adriatik Llallës dhe Gjin Gjonit, një drejtësi që paraqiste forcën çdo mbrëmje tek dyshja Berisha-Meta.

Si mekanizëm për grabitjen e pronës së familjes Hysa është përdorur bordi drejtues i Albafilm, një grremç mafioz që komandohej nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës.

SPAK-ut dhe BKH-së i mjaftojnë vetëm disa orë për të identifikuar ustallarët e kësaj historie të zezë korrupsioni dhe padrejtësie.