Tensionet/ Përjashtohen nga Kuvendi 19 deputetë të PD, 20 ditë për Salianjin

Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur përjashtimin me 10 ditë të 18 deputetëve të PD-së nga seancat plenare dhe me 20 ditë të deputetit Ervin Salianji.

Partia Socialiste ka këkuar më herët përjashtimin e 19 deputetëve të PD-së të cilët bllokuan punimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Deputetët të cilët janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit janë Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji, Samir Korreshi, Kasem Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhala, Lodovik Hasani dhe Luan Baçi.

Në shkresën drejtuar Sekretiariatit të Etikës thuhej se ligjvënësit e opozitës bllokuan foloren, shkaktuan kaos në sallë me anë të paisjeve zhurmuese duke cënuar dhe penguar zhvillimin e rregullt të seancës.

Gjithashtu ata bllokuan dhe punimet e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore i planifikuar për t’u mbajtur fizikisht ditën e premte, duke i detyruar anëtarët e komisionit të vijonin punimet online.

Sekretariati i Etikës u mblodh në orën 15:00, ku u shpreh në lidhje me kërkesën e maxhorancës.