... Nami.al

“Izraeli heq vizat për Kosovën”, Presidentja Osmani: Marrëveshja u arrit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv. Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti.

Ambasadorja Ziv e njoftoi Presidenten Osmani se pas kërkesës së Presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi.

Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike. Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendim, si zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve.

Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi.

Ambasadorja Ziv e informoi për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa Presidentja Osmani e informoi ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

Përshkrimi i imazhit