“Babë a ke folë me Naimin se po thonë se e kanë vra Lilin”, zbardhet dëshmia e Shaban Murselit para hetuesve

Shaban Murseli i ka thënë hetuesisë se ka qenë në dijeni për një problem familjar të djalit të tij Naim Murselit, i cili ka ngjarë rreth një vit para ekzekutimit të Liridona Ademajt, bashkëshortes së tij.

Në një dëshmi dhënë hetuesve të Policisë së Kosovës më 1 dhjetor të vitit të kaluar, babai i Naim Murselit ka thënë se djali i tij e ka pasur një rast me djalin e hallës së tij, K. Kokallën, vëllain e Kushtrim Kokallës, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Disa mesazhe të shkëmbyera nga Naim Murseli me rejën e Kushtrim Kokallës ishin bërë çështje në familjen Murseli, ka rrëfyer kryefamiljari.

“Unë përveç një problem që e ka pas Naimi me djalin e hallës se tij K. para një viti që ka pas disa masazhe të shkëmbyer përmes telefonit gjegjësisht me B., gruan e K.. Sipas njohurive që unë i kam pas për këtë rast nuk ka pasur diçka më shumë mes Naimit dhe B. përveç disa shkrimeve dhe fotove jointime, foto normale”, ka thënë Shaban Murseli në dëshminë e dhënë në polici më 1 dhjetor.

Shaban Murseli ka thënë se Naimi dhe Liridona janë takuar me vëllain e Kushtrim Kokallës e bashkëshorten e tij dhe e kanë mbyllur këtë çështje. Ka thënë se nga ky rast janë ftohur marrëdhëniet në mes tij dhe Naimit.

“Mirëpo e di që Naimi me Liridonën dhe K. me B. janë marrë vesh që kjo gjë të mbyllet me kaq. Nga ky rast, Naimi i ka ftohur marrëdhëniet me në një mënyrë me mua dhe familjen”, ka thënë ai.

I pyetur nga hetuesit policorë nëse i kanë kërkuar ndonjë haraç nga familja Kokalla lidhur me këtë problem, Shaban Murseli ka thënë: “Unë nuk kam ndonjë informatë se Naimi apo familja kemi paguar ndonjë gjë për këtë punë”.

Në dëshminë e tij para hetuesve policorë, të cilën e ka siguruar “Paparaci”, Shaban Murseli ka rrëfyer momentin kur i është kumtuar lajmi i vrasjes së Liridona Ademajt.

“Unë për këtë rast jam njoftuar ditën e vrasjes. Më ka thirrë djali i dytë Mërgimi dhe më ka treguar për rastin ku ka qenë rreth orës 22:00 e datës 29.11.2023, dhe me ka thënë ‘babë a ke folë me Naimin se po thonë se e kanë vra Lilin’, ndërsa unë jam shokuar nga ky lajm”, ka rrëfyer ai.

“E kam thirrë gruan time dhe e kam pyetur se çka ka ndodhë dhe i kam treguar, pastaj pas pak jemi bërë së bashku me gruan time Sanijën, vëllain Asllanin, me gruan e tij Fatmiren dhe djalin Mërgimin jemi nisur me veturë ku kemi udhëtuar për Kosovë diku 40 orë dhe kemi mbërritur me datën 01.12.2023 në orën 06:00 në shtëpinë në fshat ku kemi takuar të gjithë familjen. Nuk kam mundur të pyes askënd rreth rastit, meqenëse ishim shumë të zënë me procedurën e varrimit dhe rreth pritjes së njerëzve”, ka thënë Murseli.

Ai ka thënë se pas ceremonisë së varrimit të Liridona Ademajt, policia kreu bastisje në shtëpinë e tij dhe njëri nga hetuesit policor i tregoi se djali i tij, Naimi, është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në vrasje.

“Pastaj pas varrimit diku reth orës 16:30 kanë ardhur disa vetura të Policisë në oborrin tonë ku e kanë marrë Naimin për Prishtinë. Ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë nga Policia njëri nga hetuesit e Prishtinës më ka ndarë vetëm në një dhomë ku ma ka kumtuar rastin dhe më ka njoftuar se Naimi është i përfshirë në vrasje dhe se është i arrestuar. Nga ky njoftim kemi qenë të gjithë të tronditur shumë nga kjo dhe nuk kemi ditur as çka të bëjmë”, ka thënë Murseli, transmeton Paparaci.

Edhe Murseli në dëshminë e tij ka përmendur rastin e problemit familjar të shkëmbimit të mesazheve me rejën e Kushtrim Kokallës.

“Një problem familjar ku kanë dalë në shesh disa SMS-a me një të afërt. Këta SMS-a ia kanë dërguar bashkëshortes sime dhe kjo e ka rënduar tej mase lidhjen tonë martesore. Pas kësaj ngjarje, presioni dhe kontrolla ndaj meje është shtuar ku unë kam kërkuar ndarjen, mirëpo kategorikisht bashkëshortja nuk ka pranuar dhe në një ndejë në Malmo të Suedisë, bashkëshortja më ishte hakmarrë duke më tradhtuar me një person të huaj aty”, ka thënë ai para hetuesve.

“Këtë ngjarje unë e kam parë me sytë e mi, mirëpo nuk ia kam shprehur në asnjë moment. Kjo ngjarje sigurisht që më ka rënduar dhe ndikuar në raportin tonë. Unë si bashkëshort të gjitha kushtet ia kam plotësuar dhe kam dashur që ajo të jetë e lumtur”, ka thënë Murseli.