... Nami.al

Kryeministri i parë shqiptar në histori! Talat Xhaferi flet para Parlamentit të Maqedonisë së Veriut

Talat Xhaferi, i mandatuari për formimin e Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, para zgjedhjes së kryeministrit, foli për prioritetet e kësaj qeverie kalimtare.

Xhaferi tha në Kuvendin maqedonas se “nuk do të lejoj të devijojmë”, nga rruga dhe nga prioritetet e dakorduara me partnerët e koalicionit, ndërsa përmendi rrugën për integrimin në Bashkimin Europian.

Ai tha se prioriteti kryesor do të jetë “përgatitja e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.

Xhaferi tha ndër tjerash se do të vazhdojnë “zbatimin e parimeve të marrëveshjeve për marrëdhëniet ndëretnike”, ndërsa foli më tej për prioritetet strategjike shtetërore.

“Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbeten politika qendrore dhe strategjike të qeverisë”, tha ai.

“Do të zbatojmë proceset e nisura për rrumbullakësimin e legjislacionit vendor në lidhje me proceset institucionale të partnerit tonë strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përcaktimin dhe sanksionimin e personave të lidhur me krimin dhe korrupsionin”, tha Xhaferi.

Xhaferi në fund e falënderoi kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, presidentin maqeonas, Stevo Pendarovski dhe deputetët.

Pas diskutimit, deputetët e Maqedonisë së Veriut pritet ta zgjedhin qeverinë teknike me në krye Talat Xhaferin. Kjo qeveri do të jenë në detyrë derisa të pasohet nga qeveria e re me mandat të plotë e cila do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Xhaferi tha në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, se qeverinë do ta udhëheqë me përgjegjësi.

“Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit. Edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njejta, dhe dua të ju sigurojë që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Unë do të vazhdojë programin e qeverisë së kaluar duke realizuar prioritetet e qytetarëve dhe të qeverisë. Për të ecur drejt rrugës së BE-së ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta që i takon një shteti serioz. Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve. Puna e qeverisë sime do të kalojë edhe nëpërmjet sfidave që do të sigurojnë zbatimin dhe respektimin e ligjeve dhe Kushtetuese. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe zhvillimin e vendit, do të jetë obligim i imi. Bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të do të jetë gjithashtu prioritet për mua dhe qeverinë time”, tha ai.

Përshkrimi i imazhit