Kontrollet e SPAK, Berisha: 5 drejtorë në Tiranë kanë vjedhur 30 milionë euro

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar mbrëmjen e kësaj të diele kontrollet e SPAK në bashkinë e Tiranës.

“Këto ditë keni dëgjuar se u bënë disa kontrolle te zyrtarët e Erion Veliajt. A e dini ju se çfarë janë ato? Belind Këlliçi ka denoncuar që në maj të vitit të kaluar kompaninë e famshme “5D” që do të thotë 5 drejtora. 5 drejtora të bashkisë me në krye Erion Veliajn kanë vjedhur 30 milionë euro prokurorime, para publike me familjarët e tyre” – tha Berisha që akuza bëri edhe për rrugën e Arbrit.

“Rruga e Abërit, kur e dorëzuam në vitin 2013, ishin pa ndërtuar gjithsej 27 km. 32 km ishin të përfunduara. Çfarë po ndodh me 27 kilometrat. Me 27 km e rrugës së Arbrit e gjerë 10-11 metra, po i shkon çmimi fiks sa Rrugës së Kombit e gjerë 27 metra në akset e saj. A ka vjedhje më të madhe? Shikoni pse.

Kur të shihni Gazin dhe Olsi Ramën do të shikoni tabelat mbrapa, “Gjoka Kompani”. Pra paratë po i vjedh Olsi me Demin bashkë me Gjokën dhe çmimi i rrugës ka kaluar në ato 27 kilometra në 11 milionë dollarë kilometri” – tha Berisha për protestuesit që ishin mbledhur poshtë banesës së tij.