“Me influencë e goxha të ardhura”- Si ekonomisti burgosi familjen, foli vetëm nëna

Alma Tandili, kryetarja e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin Review, në Euronews Albania, ku zbuloi detaje nga izolimi që Jetnor Zhabolit i bëri familjes së tij prej disa muajsh.

Tandili tha se 35-vjeçari ishte një person me influencë në familje pasi siguronte goxha të ardhura.

Ajo tha se dhuna psikologjike kishte vite që ndodhte, por izolimi total i bashkëshortes, fëmijëve të mitur dhe nënës, ndodhi vetëm gjatë kohëve të fundit.

“Fëmijët janë gjetur në gjendje të traumatizuar, vetëm nëna është shprehur. Pastaj më vonë janë pyetur fëmijët. Janë lënë të qetë dhe janë ripoyetur më vonë.

Kemi të bëjmë me një rast shumë të rëndë traumatik që i kalon limitet.

Sipas dëshmive kishin vite që ishin dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht, por muajt e fundit ishte bërë izolimi total me jashtë. Sa më shumë rëndohej gjendja e personit aq më shumë shtohej mbikqyrja. Jo vetëm këto familje nuk e kanë denoncuar, por kemi dhe shumë të tjera që nuk i denoncojnë. Kemi të bëjmë me një person që ka pasur influencë në familje dhe kishte goxha të ardhura ekonomike dhe kanë qenë të gjithë nën presionin e tij.

Ne kemi komunikuar dhe me shkollën dhe shumë pak kanë vënë re që kishin probleme të tilla. Shpeshherë fëmijët për shkak të presioneve të rënda në psikologjike janë aq të manipulueshëm sa kur futen në ambientet e shkollës tjetërsohen sepse përdorin mekanizma mbrojtës për familjen.

Fëmijët asnjëherë nuk e denoncojnë familjen dhe kur ajo është negative, por vetëm e justifikojnë atë”, tha ajo.

Eksperi kriminalistik Artan Rexhepi, tha se ngjarja është tepër e rëndë, ku 35-vjeçari kishte vendosur kamera dhe në tualet, gjë e cila nuk ndodh as në burgje.

“Aty është gjëja më e çudishme që ka kamer dhe në tualet, as në burgje nuk lejohet”, tha ai.