... Nami.al

Ekzekutimi i Liridona Ademajt, zbardhet dëshmia e autorit të krimit: Naim Murseli ka qenë në makinë në momentin e vrasjes

Është publikuar dëshmia e plotë e Granit Plavës, autorit të vrasjes së Liridona Ademajt që ndodhi në nëntor të vitit të kaluar në Prishtinë. Pas arrestimit të Plavës, u mësua se ky i fundit kishte deklaruar se Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, i kishte premtuar 30 mijë euro për vrasjen e saj.

Mediat e Kosovës shkruajnë se biseda mes tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej vrasja në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla, i dyshuari tjetër për përfshirje në vrasjen e 30-vjeçares.

“Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do të marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem më ka dhënë 400 euro dhe Kushtrimit i ka dhënë një shumë tjetër e jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, ka thënë Plava. “Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje’”.
Autori Granit Plava ka dëshmuar se Murseli e ka telefonuar ditën e vrasjes së Liridonës dhe i ka kërkuar që të kryhet krimi.

“Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë xhiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka dëshmuar Plava.

Por çfarë nuk dihej, ka qenë fakti se Plava ka dëshmuar se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në makinë ka qenë edhe Naim Murseli ndërsa fëmijët jo,

“Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, ka thënë ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, kur Liridona Murseli sapo kishte dalë nga një restorant me fëmijët e saj dhe bashkëshortin Naim Murseli. Ky i fundit e raportoi ngjarjen si një grabitje, por më pas është dorëzuar para hetuesve duke pranuar se ishte ai që kishte organizuar krimin e rëndë.

Përshkrimi i imazhit