E papritur, Klopp zyrtarizon largimin nga Liverpool: Jam i bindur se është vendimi i duhur

Jurgen Klopp shpall çuditërisht lamtumirën e tij nga Liverpool pas nëntë vitesh në pankinën e Reds me një video të publikuar në kanalet sociale të klubit: “E di që do të jetë një tronditje për shumë prej jush – thotë trajneri gjerman këtë herë pa buzëqeshjen e tij tipike në fytyrë -. Më pëlqen absolutisht gjithçka nga ky klub dhe ky qytet, por në fund të sezonit do të largohem nga pankina. Jam i sigurt se është vendimi i duhur për të marrë sepse po më mbarojnë energjitë. E di që nuk mundem të vazhdoj ta bëj këtë punë pa pushim. Pas gjithë viteve bashkë dhe duke pasur parasysh dashurinë që kam për ju, më e pakta që detyrohem është e vërteta. E kjo është e vërteta”.

DEKLARATA E KLOPP
Trajneri gjerman, më pas, tregoi historinë në prapaskenë të vendimit: “Unë i kisha thënë klubit tashmë që në nëntor. Kur u ulëm së bashku për të biseduar për blerjet e mundshme, kampin e ardhshëm veror dhe nëse mund të shkonim diku, më erdhi në mendje mendimi: ‘Nuk jam i sigurt nëse do të jem më këtu atëherë’. E mbeta gjithashtu i befasuar edhe vetë. Natyrisht që fillova ta mendoj. Vitin e kaluar ishte një sezon super i vështirë dhe kishte raste kur në një klub tjetër ndoshta vendimi do të kishte qenë: ‘Ej, faleminderit shumë për gjithçka, por ndoshta duhet të ndahemi këtu, ose ta mbyllim këtu.’ Kjo nuk ndodhi, natyrisht. Ishte shumë e rëndësishme për mua të isha në gjendje të ndihmoja të ktheja këtë ekip në rrugën e duhur. Ishte e vetmja gjë për të cilën po mendoja”.

“Kur e kuptova shumë herët se kishte ndodhur, se ky ishte një ekip vërtet i mirë me potencial të madh, atëherë mund të filloja të mendoj përsëri për veten time dhe ky ishte rezultati. Nuk është ajo që dua të bëj, është thjesht ajo që mendoj se është 100% e drejtë. Ne jemi Liverpool, kemi përballur gjëra më të vështira së bashku. E klubi ka kaluar gjëra më të vështira para meje. Le ta bëjmë një pikë force. Kjo do të ishte vërtet fantastike. Le të shtrydhim gjithçka nga ky sezon dhe do të kemi një gjë tjetër për të buzëqeshur kur të kthehemi pas në të ardhmen.”