...
Rusia ka ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë me dronë dhe raketa dhe ka goditur Kievin dhe Odesën përgjatë natës. Sulmet kanë qenë të fuqishme në kryeqytetin e Ukrainës dhe në Odesa duke shkaktuar shumë shpërthime e disa zona morën flakë.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se Kievi u godit nga 35 dronë kamikazë që ishin të prodhuar nga Irani. Ai shkroi se mbrojtja ajrore i shkatërroi këto dronë. Nga sulmi në Kiev, deri më tani janë raportuar vetëm 5 të plagosur. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit të Ukrainës, Vitalii Klitschko tha se tre persona u plagosën në rrethin Solomyansky dhe dy në rrethin Sviatoshyn. Pas sulmeve, banorët u mblodhën në strehimore.
Sipas raporteve nga ushtria ukrainase, mbetjet nga dronët anti-ajrorë të rrëzuar dëmtuan një tubacion gazi dhe një depo karburanti. Ndërkohë, forcat ruse granatuan tetë komunitete në rrethin Sumy, duke gjuajtur më shumë se 109 të shtëna me lloje të ndryshme armësh.
Në Bakhmut, rusët kanë rritur intensitetin e bombardimeve të tyre me armë të rënda dhe ende shpresojnë të pushtojnë qytetin deri më 9 maj. Themeluesi i Wagner, Prighozin, tha një ditë më parë se nuk do të tërhiqet nga Bakhmut, pasi Moska i ka premtuar më shumë municion.